Përgjegjësat e departamenteve

Përgjegjesi i Departamentit Filozofi

Prof. Asoc. Dr. Aida Goga

Aida Goga është Përgjegjëse e Departamentit të Filozofisë që nga viti 2016. Ajo u diplomua në filozofi në vitin 2000 në Departamentin e Filozofisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ajo ka marr titullin “Profesor i Asociuar” në Filozofi, në Departamentin e Filozofisë në vitin 2022 dhe  ka mbrojtur Gradën Doktor i Shkencave në vitin 2014, në Institutin e Studimeve Europiane. Fushat e saj të interesit janë mësimdhënia dhe kërkimi shkencor në fushën e filozofisë, etikës dhe lidershipit. Ekspertiza e saj në këto fusha përfshin mësimdhënie në nivelin Bachelor dhe Master si dhe puna kërkimore dhe botimet në këto fusha. Kurrikulumi i saj përfshin dhe një eksperiencë të gjatë si eksperte në institucione e organizata të ndryshme. Ajo është autore e mbi 20 referimeve dhe botimeve, në vend dhe jasht tij. Aktualisht ajo ligjëron në Hyrje në filozofi, Antropologji filozofike, Lidershipi dhe standartet, Teori etike bashkëkohore dhe Filozofi e lindjes.

Përgjegjesi i Departamentit Pedagogji – Psikologji

Prof. Asoc. Dr. Arjana Muçaj

Prof Asoc. Dr. Arjana Muçaj, është pedagoge me kohë të plotë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Pedagogji – Psikologjisë, Universiteti i Tiranës. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Sofies, St. Kliment Ohridski, Bullgari në degën Psikologji dhe më pas ka vazhduar studimet pasuniversitare në fushën e Psikologjisë Ligjore dhe Sociale në Universitetin e Sofies – Bullgari, ku dhe ka marrë gradën shkencore “Doktor” i Shkencave në Psikologji . Ka një përvojë në mësimdhënie prej më shumë se 21 vite. Fushat e ekspertizës janë; Psikologji Ligjore, Sociale, Zhvillimi e Edukimi. Aktualisht drejton Departamentin e Pedagogji-Psikologjisë.

Botimet e saj janë të shumta e të pasura, si autor, bashkëautor brënda dhe jashtë vendit. Artikujt e botuar me karakter hulumtues e profesional janë të shumtë, një pjesë e të cilëve, janë botuar në revista të huaja të njohura ndërkombëtarisht në gjuhën angleze.

Përgjegjesi i Departamentit Punë dhe Politika Sociale

Prof. Asoc. Dr. Eliona Kulluri (Bimbashi)

Eliona Kulluri (Bimbashi) është lektore kohë të plotë në Departamentin e Punës dhe Politikës Sociale pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës prej vitit 1995. Ajo është aktualisht lektore e disa lëndëve në programet bachelor dhe master shkencor të DPPS, si “Puna Sociale me Grupet dhe Komunitetin”, “Probleme dhe Politika të Shëndeti Mendor”, “Intervistim dhe Këshillim”, “Vlerësimi i programeve dhe shërbimeve sociale”. Pas diplomimit në Biologji, në vitin 1992, studimet e saj pasuniversitare dhe ato doktorale lidhen me Punën Sociale. Në 2009 ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave në Punë Sociale, me studimin me temë “Dhuna në familje: Incidenca, prevalenca dhe mekanizmat e përballimit së saj; Studim cilësor mbi eksperiencat e grave te dhunuara”.

Fushat e mësimdhënies dhe ekspertizës kërkimore përfshijnë çështjet gjinore dhe të zhvillimit, programimin dhe vlerësimin e shërbimeve sociale për grupet dhe komunitete në nevojë. Ajo ka kryer studime dhe vlerësime të programeve e politikave të ndryshme sociale kombëtare dhe lokale,  shërbime këshilluese për agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe organizata të tjera ndërkombëtar dhe kombëtare, në lidhje me politikat me ndikim të drejtpërdrejtë në përfshirjen sociale të fëmijëve, politikat e mbrojtjes sociale në Shqipëri, hartim të planeve vendore sociale, protokolleve, standardeve dhe udhëzuesve të shërbimeve sociale, moduleve të trajnimit, duke ofruar njëkohësisht trajnime për profesionistë të ndryshëm që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe shërbimeve sociale në vend.

Ka marrë pjesë në disa projekte kombëtare dhe ndërkombëtare mbi papunësinë, migrimin, varfërinë dhe përjashtimin social, cilësinë e jetës dhe çështjet të grupeve vulnerabël në komunitetet lokale dhe ka botuar artikuj shkencorë në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, tekste mësimore si edhe raporte studimore.

Ka shërbyer në pozicione drejtuese si Zv/kryetare e Senatit Akademik të UT (2016-në vazhdim), Zv/Dekane e FSHS (2017-2020) dhe Përgjegjëse Departamentit të Punës Sociale dhe Politikës Sociale (2020-në vazhdim).

Përgjegjesi i Departamentit Sociologji

Prof. Asoc. Dr. Blerina Hamzallari

Prof. Asoc. Dr. Blerina Hamzallari është drejtuese e njësisë bazë të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës që prej 18 janar 2018 e në vazhdim. Ajo ka përfunduar studimet e ciklit të parë në Sociologji si “Student i shkëlqyer” në vitet 2005-2008 në Universitetin e Tiranës. Në vitet 2008-2010 ka përfunduar studimet e ciklit të dytë në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore” po në Universitetin e Tiranës, në përfundim të të cilave u diplomua me “Medalje e artë”. Në korrik të vitit 2017 u diplomua “Doktor” në shkencën e Sociologjisë. Nga viti 2012 e në vazhdim Blerina Hamzallari ka qënë lektore e disa lëndëve universitare si Sociologji familje, Teori Sociologjike, Tipologji të konfliktit bashkëkohor, Hyrje në Sociologji, Shkrim akademik, Komunikim ndërkulturor, Hyrje në media dhe komunikim. Interesat kryesore të kërkimit janë: Familja, martesa, të rinjtë, gjinia, konflikti dhe ndërmjetësimi, drejtësia restauruese, komuniteti dhe familjet, farefisnia, komunikimi ndërkulturor, grupet vulnerabël, etj. Ajo është autore dhe bashkëautore e disa artikujve botuar brenda dhe jashtë vendit, autore e moduleve të edukimit në fushën e arsimit, pjesëmarrëse në projekte kërkimore, konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përgjegjesi i Departamentit Shkenca Politike

Dr. Orinda Malltezi

Dr. Orinda Malltezi është aktualisht  lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës që nga viti 2004. Ajo është diplomuar në vitin 2003 në Universitetin e Mesdheut Lindor në Qipro (Eastern Mediterranean University), në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo kreu studimet Master gjatë viteve 2006-2008 në degën “Menaxhim Projektesh Ndërkombëtare”, Akademia e Studimeve Ekonomike në Bukuresht, Rumani. Studimet doktorale i ka përfunduar pranë Departamentit të Shkencave Politike, Universiteti i Tiranës në vitin 2015, me tematikë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Fushat e saja të studimit janë: marrëdhëniet ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare, kultura politike si edhe analiza dhe vlerësimi i politikave. Përveç eksperiencës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor pranë Universitetit të Tiranës, ajo ka eksperiencë në organizata ndërkombëtare si SECI/SELEC ku edhe ka punuar gjatë periudhës që ndiqte studimet master. Ajo ka qenë drejtuese e disa aktiviteteve në lidhje me kërkimin shkencor dhe zhvillimin e institucionit, si edhe këshilluese për institucione të ndryshme me kohë të pjesshme.

Aktualisht është titullare e disa lëndëve në ciklin Bachelor, siç janë: Organizatat Ndërkombëtare, Politika e Jashtme e SHBA-së dhe në nivelin Master lëndët: Vlersimet e Politikave dhe Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.